Festivali FolkKid

Parku Ujor i Drilon-Tushemishtit u shndërrua në një skenë të gjallë tradite, ngjyrash dhe emocionesh gjatë edicionit të parë të festivalit mbarëkombëtar të folklorit për fëmijë, “FolkKid”.

Në peizazhin e veçantë natyror të Drilonit, 12 grupe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut sollën pasurinë e kostumeve tradicionale, valleve autentike dhe kulturës së trevave shqipfolëse, duke krijuar një atmosferë të veçantë që bashkoi brezat përmes artit dhe trashëgimisë kulturore.

Me talent, energji dhe krenari, fëmijët interpretuan këngë dhe valle tradicionale, duke dëshmuar se vlerat tona folklorike vazhdojnë të jetojnë dhe të përcillen nga brezi në brez.

Parku Ujor i Drilon-Tushemishtit pati kënaqësinë të mirëpriste këtë festë të kulturës shqiptare, e cila jo vetëm promovon identitetin tonë kombëtar, por edhe forcon lidhjen mes natyrës, traditës dhe komunitetit.

“FolkKid”, një festival folklorik i organizuar nga Këshilli i Qarkut Korçë, erdhi jo vetëm si një festë e identitetit tonë kombëtar, por edhe si një nismë për ruajtjen dhe promovimin e vlerave folklorike për brezat e ardhshëm.

Falënderime për të gjithë pjesëmarrësit, organizatorët dhe vizitorët që e bënë këtë ditë të paharrueshme në zemër të Drilonit. 💚